Ankesat e qytetarëve të Tiranës për transportin publik mbeten të padëgjuara

Prej pesë vitesh, Fiona Dinollari është përdoruese e linjës së autobusëve të Tiranës së Re. Ajo banon në Astir dhe shprehet se gjatë gjithë këtyre viteve, linja ka pasur thuajse të njëjtat probleme: vonesë, mungesë informacioni, kushte të këqija udhëtimi. Së fundmi, tregon ajo, ka një përmirësim sa i përket shpeshtësisë dhe orareve të autobusëve.

Fiona i viziton shpesh familjarët e saj në Durrës, e për të shkuar deri te terminali në  kthesën e Kamzës për të marrë fugonin për në qytetin tjetër kthehet në një kalvar të gjate pritje.

Asaj i duhet që të përshkojë gjithë qytetin me autobusin e Tiranës së Re për të shkuar deri te terminali. “Problemi im më i madh personalisht është që të dyja linjat, ajo që shkon majtas dhe që shkon djathtas, kanë rrugë të ndryshme kur vjen puna tek terminali i autobusëve”, – thotë Fiona Dinollari për Citizens Channel.

Që do të thotë, unë në Vasil Shanto duhet të marr autobusin që shkon nga qendra, ta kaloj komplet bllokun, qendrën, Don Boskon, Pallatin e Sporteve etj. Më ha më shumë se një orë”.

Problemet që artikulon Fiona janë probleme të përbashkëta për qytetarët e Tiranës, përdorues të transportit publik. Sipas një studimi nga qendra STEPS, publikuar në vitin 2020, 90.7% e anketuarve nga 140 qytetarë të pyetur, raportojnë nivel të ulët të kënaqësisë mbi cilësinë e shërbimit të ofruar.

Jam përdoruese e Tiranës se Re prej më shumë se tre vitesh. Ecën ngadalë, vonon për të ardhur e si rrjedhojë stacioni mbushet plot me njerëz. Shpesh herë detyrohesh të ndryshosh autobus për arsye të cilat nuk i di, por qe është e bezdisshme”, – thotë Klemi, një tjetër përdoruese e Tiranës së Re.

Punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe; lihet në harresë transporti publik

Një vëzhgim i Citizens Channel në këtë segment të Unazës së Madhe tregon se në stacione mungojnë sinjalistikat që sqarojnë se aty është ndalesa e radhës.

Nuk ka asnjë lloj sinjalistike. E dinë njerëzit vetëm sepse hipin e zbresin shumë, po nuk ka asnjë lloj tabele që thotë që këtu është stacion autobusi”, – shpjegon Fiona Dinollari.

Të njëjtën gjë e pohon dhe Rixhin Qoshja nga shoqata e Transportit Qytetas. “Ne e kemi problemin që në linjën e Tiranës së Re, kompleks aksi i ri i Unazës së Re që është bërë tani nuk ka asnjë sinjalistikë për stacion autobusi. Këtë Bashkia nuk e ka bërë”, – shprehet Qoshja për Citizens.

Rixhin Qoshja, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas

Qoshja sqaron se është detyrë e Bashkisë Tiranë të ndërtojë sinjalistikë dhe infrastrukturë për transportin publik.

Ky është problem edhe për neve si operatorë dhe nuk varet nga ne, kjo varet nga bashkia në lidhje me sinjalistikën, me infrastrukturën e stacionit, me korsinë e dedikuar. Ne i kërkojmë prej vitesh, por s’na kanë bërë gjë akoma”.

Zylfo Mane, pjesë e organizatës “Alterum” të cilët prej disa muajsh po punojnë me problematikat që ka transporti publik i Tiranës, shpjegon se në rrugë jo formale përfaqësues të Bashkisë Tiranë janë shprehur se sinjalistika mungon pasi rruga është ende në ndërtim e sipër.

Nën zë na është thënë që ai aks do të bëhet shumë i mirë sa i përket transportit, por duke pasur punime nuk është parë e arsyeshme nga ana e strukturave përgjegjëse për të bërë disa stacione, që mund të quhen me plot gojë stacione”.

Një nismë për të përfshirë qytetarët në vendimmarrje

Zylfo Mane shpjegon se qendra “Alterum” ka krijuar faqen “Bus and the city”, si rrjet i cili angazhon dhe qytetarët në zgjidhjen e problematikave aktuale të transportit publik. Sipas tij, qytetarët janë tërësisht të injoruar në procesin e vendimmarrjes.

Në asnjë lloj VKM-je, në asnjë lloj ligji, në asnjë lloj vendimmarrjeje që është marrë mbi transportin publik në Tiranë, asnjëherë nuk kemi të përfshirë qytetarët”, – thotë ai. Krahas denoncimit, “Bus and the city” ka përmbledhur dhe kuadrin ligjor, të drejtat dhe detyrimet që kanë qytetarët përdorues të autobusëve.

Zylfo Mane, qendra “Alterum”

Përmes platformës “Bus and the city” ata janë njohur me rastin e një stacioni problematik po në linjën e Tiranës së Re, rast të cilin ata e kanë ndjekur më tej.

Kemi vënë re që ai stacion ishte një stacion i rrezikshëm, pasi ishte në një vend të papërshtatshëm. Konkretisht, ishte në një trekëndësh të ishull të trafikut”, – thotë Mane për Citizens Channel. Pas marrjes së rastit ata i janë drejtuar Bashkisë Tiranë.

Stacioni para se të ndryshohej/ Foto; Bus & City

Pas dërgimit të kërkesës për ndryshim të vendndalimit, bashkangjitur me pamjet në terren, stacioni është zhvedosur disa metra më tutje, ndonëse qendra “Alterum” nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucioni të cilit i është drejtuar. Ndryshimi është konstatuar nga vëzhguesit e terrenit.

Për të mësuar stacionin e radhës, duhet të pyesësh fatorinon…

Ana Duraku është një ndër vëzhgueset terrenit që monitoron cilësinë e transportit publik në qendrën “Alterum”. Përveç Tiranës së Re, ajo së bashku me studentë të tjerë monitorojnë në terren po ashtu Unazën, Kombinatin dhe Porcelanin.

Duraku pohon se problematika më e madhe e qytetarëve mbetet e drejta e informimit. “Mund të themi që kemi një mungesë totale të tabelave informuese në çdo stacion, në çdo linje që mbetet një detyrim për ofruesin e shërbimeve, por i pazbatueshëm”.

Tabelat informuese, shpjegon jo, duhet të jenë brenda autobusëve dhe në secilin stacion, që sqaron qytetarët rreth: itinerarit, orarit të autobusit, rregulloren dhe cilat linjë kalojnë aty. Duraku sqaron se grupet që preken më së shumti nga mungesa e informacionit janë studentët dhe turistët.

Ana Duraku

Studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë kanë tepër problematika në lidhje me stacionet e urbaneve, se kush urban kalon aty, itinerarin e tyre, se ku duhet të kalojnë etj. Thjesht duhet të kesh një kujdes që të pyesësh fatorinon në çdo moment se ku duhet të ndalosh”.

Të njëjtin “terr informativ” ndeshin dhe turistët, shprehet më tej Ana Duraku.

Nga disa monitorime që kemi bërë në terren, turistët janë shprehur që transportin e kanë pasur të vështirë sepse kanë konstatuar persona që nuk flasin gjuhë të huaj. Po ashtu, nuk kanë ditur itineraret e transportit, në google maps nuk del transporti publik”.

Sipas kuadrit aktual ligjor, sqaron më tej Zylfo Mane, qytetarëve u lindin këto të drejta: “Të ketë një transport cilësor, që do të thotë të jetë një transport i shpejtë, të jetë një transport i sigurtë, të jetë një transport i pastër brenda kushteve të higjienës”.

Më shumë publikime