INFRASTRUKTURA RRUGORE, SI NJË NGA SHKAQET PËR MOSOFRIMIN E NJË TRANSPORTI PUBLIK CILËSOR DHE TË SIGURT!

Trendi në rritje i migrimit në Shqipëri, nga zonat rurale drejt zonave urbane dhe në mënyrë të veçantë drejt kryeqytetit ka sjellë dhe rritjen numrit të automjeteve në qarkullim . Ndonëse numri i banorëve të kryeqytetit është rritur vitet e fundit, infrastruktura e transportit publik nuk i është përgjigjur me të njëjtin ritëm, duke sjellë jo vetëm probleme me trafikun, por edhe me ndotjen e mjedisit.

Nga monitorimet e kryera në terren dhe nga ankesat që kanë ardhur nga qytetarët në adresë të “Bus and the City” specifikisht janë vërejtur këto problematika:

1. Stacione në vende të papërshtatshme dhe pa infrastrukturë.

Vendosja e “stacioneve” në vende të papërshtatshme dhe mungesa e infrastrukturës nuk rrezikon vetëm jetën dhe shëndetin e qytetarëve, por ka si pasojë direkte krijimin e shtuar të trafikut, aksidente, kufizimin e aksesueshmërisë së personave me aftësi të kufizuara, etj.

Në shumë vendqëndrime të autobusave, të ashtuquajtura “stacione”, mungojnë jo vetëm tabelat treguese që është një stacion autobusi, por mungon infrastruktura, si kabina mbrojtëse, vijëzimet/sinjalistika horizontale, duke sjellë vështirësi në aksesin e këtij shërbimi.

Problematike vijon të jetë situata e vendosjes së stacioneve të autobusave në vende të papërshtatshme, si ishuj trafiku, afër kryqëzimeve, duke vendosur në rrezik potencial shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Personat me aftësi të kufizuar hasin vështirësi të shumta, deri në pamundësi totale të aksesit në transportin publik. Qytetarët që i përkasin kësaj kategorie udhëtarësh shprehen se lëvizja me urbanë në mënyrë të pavarur është e pamundur, pasi përballen me një sërë sfidash, shpesh të pakapërcyeshme. Duke nisur që nga pozicionimi i stacioneve e urbanëve, që në shumicën e rasteve janë të paaksesueshëm për ta. Autobuzët e linjave kryesore janë pёrgjithёsisht tё pajisur me rampa, por në pjesën më të madhe të rasteve ato nuk përdoren, si dhe ka raste ku në disa linja, rampat nuk ekzistojnë fare, pasi urbanët janë të vegjël dhe kanё shkallë nё hyrje.

Gjithashtu mbipopullimi i urbanëve krijon vështirësi të shtuar, pasi një person që lëviz në karrige me rrota nuk ka hapësirën e nevojshme që i duhet për të manovruar dhe për t’u pozicionuar në vendet e caktuara brenda urbanit. Edhe pse transporti publik e ka detyrim ligjor të ofrojë shërbim për të gjithë personat, pa asnjë diskriminim, kjo nuk ndodh për personat me aftësi të kufizuara.

Pajisja e stacioneve me infrastrukturën e përshtatshme, pasi rezulton që një pjesë e mirë e stacioneve në Tiranë nuk kanë asnjë standart duke marrë si shembull kabinat mbrojtëse.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me operatorët e ofrimit të shërbimit të transportit publik, duhet të ndërmarrë një studim të detajuar të pozicionimit aktual të stacioneve dhe kushtet e këtyre stacioneve, me qëllim riorganizimin dhe ripërcaktimin e stacioneve në vende të përshtatshme, të cilat përmbushin standardet dhe kushtet teknike, por mbi të gjitha sigurojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Gjithashtu të gjithë autobuzët e linjave të transportit publik duhet të pajisen me rampa funksionale dhe të vihen në zbatim në çdo rast kur është e nevojshme, me qëllim krijimin e mundësisë për aksesueshmërinë e këtij shërbimi nga të gjithë qytetarët.

2. Problematika në lidhje me mungesën ose përdorimin e korsisë së dedikuar për transportin publik.

Një nga problematikat më kryesore që hasin sot operatorët që ofrojnë transportin publik është mungesa e një korsie të dedikuar, apo në rastin kur ajo ekziston pamundësia e përdorimit të saj. Eksperti A. Sulçe në një prononcim për “Alterum” ka bërë thirrje për krijimin e korsive të dedikuara për transportin publik. Nisur dhe nga aksidentet e shpeshta të urbanëve kohët e fundit, Sulçe tha se ky është problemi i parë teknik që duhet të zgjidhet në këtë sektor dhe po ashtu ka disa propozime:

“Linja xhalo ose korsia e dedikuar për transportin urban është e nevojshme pasi do të përmirësonte lëvizjen e qytetarëve, në mënyrë që udhëtimet e tyrë të realizohen në kohë. Modernizimi i transportit publik do të zvogëlonte trafikun dhe pasagjerët do mbërrinin në kohë, organizimi do të jetë më i mirë, njerëzit do të marrin më shumë transportin publik dhe me mjete të reja dhe ekologjike ndotja në qytet do të zvogëlohet. Po kështu, korsia e dedikuar duhet të shoqërohet me digjitalizimin për tu kontrolluar me kamera. Kjo korsi patjetër që do t’i shërbente edhe ambulancave për të shpëtuar jetë. Kjo korsi do të shërbente edhe për lëvizjen e taksive dhe bicikiletave dhe kështu do të zvogëlonte trafikun dhe do rritej niveli i shërbimit të arterieve kryesore”.

3. Parkimi/ndalimi i mjeteve në hapësirat e vijave të verdha të stacionit, duke pamundësuar ndalimin e autobusit në stacion.

Eksperti rrugor Artur Sulçe u shpreh edhe për masat që duhet të marrë bashkia për të parandaluar parkimin ose ndalimin e automjeteve në hapësirat e vijave të verdha të stacionit, pasi kështu pengojnë ndalimin e autobusit në stacion: “Heqja e parkingut dhe vendosja e korsisë së dedikuar do të kishte impakt real në trafikun e Tiranës. Konkretisht makinat parkohen keq në afërsi të stacioneve të autobusëve dhe krijohet vështirësi në qarkullim”. Ai shtoi se për sa kohë nuk zgjidhet kjo pjesë do të ketë probleme me menaxhimin e trafikut. Problemi i trafikut është global dhe i pranishëm në të gjitha qytetet me një zhvillim të vrullshëm dhe dëndësi popullsie ashtu sikurëse është edhe Tirana, por planet e detajuara të zhvillimit urban dhe masat e duhura nga ana institucioneve përkatëse do të bënin që minimalisht ky problem të ishte i kontrolluar dhe i menaxhueshëm.

Edhe nga monitorimet e kryera nga Qendra Alterum , është konstatuar që shpesh herë në afërsi të stacionit të autobusit ose në vendin e ndalimit të autobusit janë ndaluar ose parkuar automjete private duke vështirësuar jo vetëm ndalimin në stacion, por duke krijuar vështirësi në aksesimin e autobusit nga qytetarët me aftësitë klufizuar dhe shpesh herë duke vendosur në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Kjo problematikë është ngritur dhe nga vetë operatorët që ofrojnë shërbimin e transportit publik, duke u shprehur se jo vetëm bllokimi i stacioneve nga automjetet private krijon vështirësi në ndalimin, ngjitjen dhe zbritjen e pasagjerëve, por shpesh është dhe shkaku i aksidenteve.

Gazetare, J. Halili

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë publikime