KOSTOT FINANCIARE PËR PËRDORIMIN E TRANSPORTIT PUBLIK NË QYTETIN E TIRANËS DHE PRITSHMËRITË PËR DIXHITALIZIMIN E KËTIJ SHËRBIMI!

Një ditë para festës së Vitit të Ri 2015, Këshilli Bashkiak Tiranë miratoi propozimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj, për rritjen e çmimit të transportit urban në kryeqytet nga 30 në 40 lekë. Nën argumentin se cilësia e transportit urban do ndryshonte rrënjësisht, prej 1 Janarit 2016, qytetarët në Tiranë nisën të paguanin 10 lekë më shumë për transportin urban.

• Po si dhe sa ka ndryshuar situata në transportin publik?

Në fillim të vitit 2016, periudhë e cila përkoi edhe me rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, në kryeqytet operonin 208 autobusë, ndërsa numri u rrit me 225 në fund të atij viti. Aktualisht numri i autobusëve në transportin urban në Tiranë është 311.

Përveç shtimit të flotës së autobusëve, (e cila nuk nxirret e plotë në shërbim), thuajse asgjë tjetër nuk ka ndryshuar.

Pas një kërkese për informacion, Drejtoria për Shërbimin e Transportit Publik në Bashkinë Tiranë komunikoi të dhënat e mëposhtme:

Krahasuar me vitin 2016, mosha mesatare e autobusëve të transportit publik ka mbetur e njëjtë në vitin 2022, 9 vite.

• Nga të dhënat mbi shërbimin e transportit publik rezulton se frekuenca mesatare e autobusëve në vitin 2016 ishte çdo 9 minuta. Në vitin 2022, frekuenca mesatare e lëvizjes së urbanëve shkoi në 12 minuta.

• Lëvizja e autobusëve në orar piku në vitin 2016 ishte çdo 4 minuta, ndërsa në vitin 2022 ky tregues u rrit në 6 minuta.

Të dyja krahasimet, tregojnë përkeqësimin e sistemit të transportit dhe vonesat të cilat janë shtuar ndjeshëm. Vetë qytetarët, raportojnë shifra të tjera nga terreni. Sipas tyre shumë linja vonohen deri në më shumë se 20 minuta, vonesa të cilat ju shkaktojnë atyre probleme në punë apo në mbarëvajtjen e përditshmërisë.

Një tjetër problem ende i pazgjidhur me shërbimin e transportit publik në kryeqytet, mbetet mungesa e kamerave të sigurisë. Në vitin 2016 ishin 62 autobusë të pajisur me kamera sigurie, ndërsa deri në mes të vitit 2022, asnjë autobus nuk kishte kamera sigurie funksionale.

Platformat për personat me aftësi të kufizuara kanë mbetur gjithashtu pa zgjidhje. Aktualisht vetëm 271 nga 311 autobusë janë të pajisur me këtë platformë.

Në një panoramë të përgjithshme, thuajse të gjitha kushtet e premtuara, rezultojnë të paplotësuara.

Në të dhënat e nxjerra nga raporti i fundit i Open Data i Bashkisë Tiranë lidhur me shërbimin e transportit publik, shihet se nga pandemia, në vitin 2021, ka pasur një ndryshim në formën që qytetarët kanë zgjedhur të paguajnë shërbimin.

Gjatë periudhës së pandemisë, në tre mujorin e parë të 2020-ës, rreth 62 mijë qytetarë zgjodhën të paguajnë me biletë, ndërsa në tre mujorin e parë të 2021, kjo shifër ra në 40 mijë.

Pagesat me abone, në tre mujorin e parë të 2020-ës, u kryen nga rreth 100 mijë qytetarë, ndërsa në të njëjtën periudhë në 2021, shifra u përgjysmua, duke shkuar në 50 mijë.

Përsa i përket aboneve, që nga viti 2016, qytetarët paguajnë 1600 lekë për abonenë e përgjithshme, 1200 për të linjës dhe 600 për abonetë e studentit. Ato shiten në kioskat pranë stacionëve të autobusëve dhe duhet të tërhiqen me emër, mbiemër dhe me fotografi, e cila është një kosto ekstra për xhepin e qytetarëve.

Aboneja e studentit, e cila hidhet në treg me sasi të kufizuara dhe studentët vuajnë radhë të gjata pritjeje, mund të tërhiqet vetëm me kartën e studentit dhe gjithashtu me një fotografi.

Rigels Xhemollari, nga Qendresa Qytetare , në një intervistë për “Alterum” thotë se hedhja në treg e pak aboneve bëhet në mënyrë të qëllimshme “për të detyruar sa më shumë studentë të blejnë biletat e përditshme të cilat sipas tij, ua 6-fishojnë koston e abonesë, nëse paguajnë çdo ditë linjat e autobusëve”.

Çmimet e aboneve nga ana tjetër, janë një problem më vete. Në një kohë kur shqiptarët, sipas Institutit Europian të Statistikave renditen si populli më i varfër në Europë, me një pagë minimale prej 34,000 lekësh, një qytetar duhet të punojë një ditë për të siguruar një abone.

Edhe pjesa tjetër e pajisur me librezë, është përgjysmuar duke shkuar nga 1000 në 2020, në 500 persona në 2021.

Pavarësisht se ligji e parashikon se të gjithë ata që e kanë përfituar statusin e invaliditetit, nuk bëjnë pagesë kur udhëtojnë me mjetet e komunikacionit shtetëror dhe privat qytetas, jo të gjitha linjat i njohin librezat, ndaj shpeshherë kjo kategori detyrohet të paguajë ose nuk merr shërbim.

V.M, banuese në Tiranë, pohon se shpeshherë është detyruar të zbresë nga urbani: “Në linjën e Kamzës më kanë detyruar të zbres pasi nuk ma njohin librezën. Vështirësi kam kaluar edhe për ta marrë statusin pasi kriteret janë ashpërsuar shumë.”

Po çfarë mendojnë operatorët që ofrojnë shërbimin e transportit publik në lidhje me kostot?

Rritja e çmimit të naftës e ka thelluar ngërçin që ka zënë sektorin e transportit publik. Operatorët deklarojnë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për të rritur biletën, pavarësisht ndihmës që iu dha sektorit nga qeveria, lidhur me rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt Gusht – Shtator – Tetor.

Sipas tyre, kjo paketë nuk është e mjaftueshme. Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj pohon për “Alterum” se nëse ndihma e qeverisë nuk do të vazhdojë, shërbimi do të ndërpritet.

Sipas tij, shtrenjtimi i naftës, rënia e ndjeshme e numrit të pasagjerëve dhe efekti i pandemisë, rrezikojnë ta çojnë sektorin drejt falimentit.

Për sa i përket çmimit të biletës, Memaj paralajmëron se në skenarin më të errët ku nuk do të ketë ndihmë nga qeveria, bileta do të shkojë në 80 lekë.

Ai ka edhe një shpjegim lidhur me rënien e ndjeshme të numrit të pasagjerëve, ndërsa pranon se shërbimi dhe mungesa e infrastrukturës së mjeteve të transportit, është një nga arsyet.

“Kriza e rënies së numrit të pasagjerëve në vetvete nisi që në pandemi me mbylljen e sektorit që i dha një goditje të madhe, më vonë mbyllja e shkollave dhe punëve online shumica dhe gjithashtu edhe frika e njerëzve. Kohët e fundit pati një përmirësim, por kurrë në nivelin e para pandemisë dhe këtu ndikon dhe ikja në masë e njerëzve në emigrim. Shërbimi dhe mungesa e infrastrukturës për mjetet e transportit publik kanë ndikim. Krahasuar me të njëjtën periudhë para pandemisë aktualisht jemi me më pak se 30-35% të fluksit të udhëtarëve.”

Rruga drejt dixhitalizimit të këtij shërbimi, a jemi gati?

Pavarësisht se transporti publik ende nuk i ka përmirësuar kushtet e shërbimit, bileta elektronike është një nga projektet e bujshme të premtuara për t’u vënë në jetë në vitin 2023.

Në Janar, udhëtarët e transportit ndërqytetës pritet të kenë mundësinë e përdorimit të biletave elektronike të cilat do të përfshijnë të dhëna të tilla si emri i pasagjerit, vendin ku do të ulet, destinacionin, orën e nisjes si edhe atë të mbërritjes. Prenotimi i saj do të mund të bëhet online.

Por realizimi i këtij projekti ambicioz, sipas Memajt kërkon kushte të cilat aktualisht nuk janë gati: “Mendohet që me 1 Janar 2023 të kemi bileta elektronike të fiskalizuara, por ndërkohë që t’i kemi këto, duhet infrastruktura, terminale, stacione, agjenci, mjete etj. Besoj që në fillim bileta elektronike do të ishte më e realizueshme në transportin ndërqytetës, pastaj në transportin urban.”

Për Xhemollarin, bileta elektronike, nuk mund të bëhet pa një investim: “Prej vitit 2017 ka pasur premtime të shpeshta nga kryetari Veliaj, por ende kur aksesojmë autobusin hasemi me bllokun e fatorinos. Futja e biletës elektronike, pa një investim tërësor në sistemin e transportit publik, nuk do sillte ndryshim të madh.”

Pyetjes se nëse bileta elektronike do të ketë efekt mbi qytetarët, Bashkia refuzoi t’i jepte përgjigje, ndërsa në një deklaratë për mediat në vitin 2020, Blendi Gonxhja, Drejtor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, është përgjigjur që nuk do të ketë efekt.

Të njëjtën përgjigje ka dhënë edhe Memaj, i cili shprehet se kostot ekstra do të bien mbi operatorët për shkak të sigurimit të infrastrukturës.

Ndonëse ndajmë mendimin dhe rekomandojmë që i gjithë shërbimi i transportit publik duhet të dixhitalizohet, me qëllim rritjen e cilisë të këtij shërbimi, ky proces duhet të realizohet në bazë të një studimi të mirëfilltë duke shmangur çdo lloj efekti apo kostoje mbi qytetarët.

Gazetare: J. Halili

LËVIZIM SË BASHKU PËR NJË TRANSPORT TË SIGURTË!

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë publikime