(PA) SIGURIA GJATË PËRDORIMIT TË TRANSPORTIT PUBLIK!

Përdorimi i transportit publik në krahasim me përdorimin e mjetëve të tjera të udhëtimit, si automjetet vetjake, motocikletat etj. konsiderohet si transporti më i sigurt. Nëse i referohemi statistikave të kryera në rang botëror, shkalla e vdekshmërisë e shkaktuar nga aksidentet gjatë përdorimit të transportit publik është rreth 45 vdekje për 100,000 aksidente, ndërsa shkalla për aksidentet gjatë përodrimit të automjeteve private është 251 për 100,000 aksidente.

Por a ofron të njëjtën siguri përdorimi i transportit publik në Shqipëri dhe cilat janë masat që duhet të ndërmerren që të kemi një transport të sigurt dhe cilësor?

Vetëm gjatë vitit 2021, brenda një harku kohor prej 2 javësh kanë ndodhur 5 aksidente ku janë përfshirë autobusat që ofrojnë shërbimin e transportit publik në Tiranë, rikujtojmë:

• 29 Prill – Autobusi përplaset me një makinë private dhe përfundon

në Lanë, ku mbetën të plagosur 6 persona.

• 2 Maj – Autobusi përplaset me kabinën e stacionit të pasagjerëve;

• 4 Maj – Autobusi urbani i linjës “Selitë-Kristal-Qendër” u përplas

me një kamion

• 16 Maj – Autobusi i linjës Kombinat përplaset me një kosh mbeturinash…etj

Operatorët që ofrojnë shërbimin e transportit publik në qytetin e Tiranës shprehen se disa nga shkaqet të cilat krijojnë kushtet e një transporti të pasigurt lidhen me ndalesat e shpeshta, shpejtësia e lartë, pakujdesia gjatë hipjes dhe zbritjes së pasagjerëve, përdorimi i alkoolit nga shoferat e autobusave, infrastruktura dhe kushtet jo të mira të rrugëve, kushtet jo të mira teknike të autobusave etj.

Nëse marrim në analizë aksidentin e ndodhur nga autobusi i linjës së “Unazës”, i cili shkaktoi cënimin e shëndetit të 5 personave, shkaku i aksidentit dyshohet që të jetë shpejtësia e lartë e autobusit. I pyetur lidhur me këtë aksident, përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Publik Urban, Dashnor Memaj u shpreh se është ende në hetim dhe nuk ka akoma një dalje vendimtare nga organet kompetente. Por ai shton se humbja e kontrollit të automjetit erdhi si pasojë e një defekti teknik, dhe po ashtu nga mungesa e korsisë për autobusët. Megjithatë duhet analizuar edhe shkaku i humbjes së kontrollit nga ana e shoferit.

Nisur edhe nga numri i lartë i aksidenteve kohët e fundit, mungesa e një korsie të dedikuar është problemi i parë teknik që duhet të zgjidhet në këtë sektor. Aksidentet që shkaktohen nga autobusët ndodhin për shkak të trafikut të rënduar dhe pengesave në rrugë, parkimi dhe ndalimi i automjeve private në stacionin e autobusit, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, parakalimet e gabuara etj.

“Në pjesën më të madhe urbanët lëvizin në të njëjtat rrugë ku lëvizin edhe makinat e vogla, ne kemi parë që ato kanë një mungesë respekti karshi këtij sektori, ndërpresin rrugën, bëjnë lëvizje që nuk janë të denja në raport me transportin publik”… – “shkak për aksidentet që ndodhin në transportin publik janë edhe mungesa e infrastrukturës rrugore, mungesa e theksuar e një respekti karshi këtij sektori nga qytetarët me makina personale për përparësitë në rrugë dhe po ashtu stresi në punë i shoferëve të autobusëve. Shoferët e autobusëve duhet të jenë shumë të vëmendshëm në punë pasi në tërësi gjendja në rrugë është problematike dhe janë të rriskuar nga përdoruesit e makinave personale – u shpreh përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Publik Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj.

Përfaqësuesi i ofrimit të transportit publik “Shpresa Al” i linjës “Kamëz”, Petrit Abazi në një intervistë për “Alterum” ka folur ndër të tjera edhe për shkaqet kryesore që shkaktojnë aksidente gjatë përdorimit të transportit publik: “Është tepër e nevojshme që shteti të ndërhyjë për të mbështetur transportin publik. Korsia e dedikuar për urbanët duhet të realizohet sa më shpejt dhe të ndalohet që në atë korsi të ndërhyjnë makinat e tjera, përveç taksive dhe ambulancave. Aksidentet vijnë edhe sepse shteti nuk subvencionon operatorët në mënyrë që autobusët të kenë gjendje optimale. Çmimet janë rritur me 30%, çdo automjet ka nevojë për shërbime teknike, aq më tepër autobusët që janë në punë për më shumë se 15 orë në ditë”.

Ndërkohë duke pyetur edhe qytetarë të thjeshtë përdorues të përditshëm të transportit publik dalin në pah edhe elementë të tjerë. Duke sjellë raste konkrete të përditshmërisë së tyre, qytetarët bëjnë fajtorë edhe shoferët, të cilët sipas tyre janë të papërgjegjshëm. Nuk janë shumë të aftë ose për shkak se nuk e respektojnë ose nuk e kanë shumë frikë ligjin ia fusin nga një gotë raki”- u shpreh një qytetar. “Udhëtimi me urban në Tiranë është i frikshëm, shoferët ecin shpejtë, pinë, ndalin vend e pa vend. Shpesh herë na ndodh që nga frenimi i shpejtë dhe i keq jemi përplasur me njëri-tjetrin”, u shpreh një tjetër qytetar.

Në lidhje me shqetësimin e qytetarëve Memaj shprehet se: “punonjësit e transportit publik trajnohen dhe kontrollohen pikërisht për të qenë konform ligjit. Nuk duhet të harrojmë edhe diçka shumë të rëndësishme; shoferët duhet të kenë kualifikimet bazë që përfshijnë patentën dhe certifikatën e aftësisë profesionale të kategorisë DE. Por kohët e fundit mungesa e punëtorëve është vënë re edhe në këtë sektor. Para 5-6 vitesh mosha mesatare e shofereve te transportit publik ishte 35-45 vjeç, tani pjesa me e madhe e shofereve te rinjtë janë larguar drejt Europës dhe mosha mesatare e shofereve është 50 vjeç. “Megjithatë duhen ashpërsuar masat ligjore të kodit rrugor për përdorimin e pijeve alkoolike nga shoferët, mbajtjen e telefonit apo çdo elementi tjetër që pengon lëvizjen normale. Po ashtu hartimin e një politike ekonomike që do të nxisë operatorët të rrisin pagat për punonjësit e këtij sektori që ndikon drejtpërdrejtë në uljen e stresit të tyre. Të realizohen trajnime dhe diskutime të herë pas hershme të stafit nga profesionistë të fushës që do të ndikonte në performancën e punonjësve”. Memaj thekson se më kryesorja dhe e pa negociueshmja është infrastruktura rrugore, korsia e dedikuar dhe stacionet e ndërmjetme.

Operatori i linjës “Kamëz-Qendër”, Petrit Abazi shton se përveç aspekteve teknike, ka dhe disa arsye të tjera që bëhen shkak për lëndimin e qytetarëve: “Ndonjëherë është edhe papërgjegjshmëria e qytetarëve. Janë të padurueshëm, i dalin autobusit përpara në mënyrë që ta ndalojnë për të hipur. Ndërkohë të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm që autobusi ka stacion dhe nëse nuk e arrin, atëherë duhet të presësh urbanin tjetër dhe nuk është e nevojshme të bëhen sjellje brutale. Jo rrallë herë ndodh që për shkak të tejmbushjes, disa nga qytetarët qëndrojnë tek dera pa marrë parasysh që shoferi mund edhe mos t’i shikojë dhe pa dashur i lëndon duke mbyllur derën. Prandaj unë kërkoj që edhe qytetarët të bashkëpunojnë në mënyrë që të kujdesen për veten e tyre. Kushtet këto janë, por të paktën ne si qytetarë mos ta bëjmë punën edhe më të vështirë”.

Çfarë ndodh me të aksidentuarit gjatë përdorimit të transportit publik, si trajtohen nga operatorët dhe çfarë përfitojnë në rast dëmtimi?

Drejtuesit e mjeteve kanë përgjegjësi për sigurinë e pasagjerëve të tyre, por janë përgjegjës deri në një masë. Por, duke qenë se shoferët janë punonjës për kompaninë e tyre të transportit, vetë kompania/operatori i ofrimit të shërbimit të transportit publik është gjithashtu përgjegjëse nëse një personi i shkaktohet një dëm në shëndetin e tij ose i shkaktohet vdekja.

Abazi shprehet se në linjën e “Kamzës”, gjatë viteve kanë ndodhur disa raste ku janë aksidentuar pasagjerët, ka patur edhe raste fatale ku kanë ndërruar jetë: “Kujtoj një rast 3 vite më parë teksa një e moshuar u shkëput nga duart e bashkëshortit dhe u përplas me autobusin që ishte në lëvizje dhe ndërroi jetë. Ky rast u trajtua me mirëkuptim midis palëve pasi nuk ishte faji i shoferit që drejtonte autobusin, por i zonjës së moshuar që i doli përpara në mënyrë të papritur dhe ishte duke kaluar në një vend pa vijëzime për këmbësorët. Ndërkohë nëse do të ishte faji i shoferit dëmshpërblimi monetar për familjarët do të mbulohej nga sigurimet.

Çdo operator që ofron shërbimin e transportit publik është i detyruar të sigurojë pasagjerët nga aksidentet në transportin publik dhe sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik, për dëmet e shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti;

Pasagjeri ose përfituesi ka të drejtë, sipas kushteve të kontratës së sigurimit, të kërkojë te shoqëria e sigurimit me të cilën është lidhur kontrata e sigurimit që të paguajë dëmshpërblimin.

Pronari i mjetit të transportit publik duhet të vendos në një vend të dukshëm të mjetit të transportit publik emrin e shoqërisë së sigurimit të përcaktuar në kontratën e sigurimit, si dhe të drejtën e pasagjerit për të përfituar nga kjo kontratë.

Disa nga masat që sugjerojmë qëduhet të ndërmmerren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ofrimin e një transporti të sigurt gjatë përdorimit të transportit publik janë:

• Përmirësimi i infrastrukturës rugose;

• Rishikimi i sinjalistikave rrugore;

• Riorganizimi i stacioneve;

• Marrja e masave konkrete për monitorimin e drejtuesve të

autobusave (psh.kryerja e testit të alkoolit në kontrolle

rastësishme);

• Kontrolli rutinë dhe i vazhdueshëm i gjendjes teknike të

autobusave;

• Vendosja në një vend të dukshëm të mjetit të transportit publik

emrin e shoqërisë së sigurimit të përcaktuar në kontratën e

sigurimit, si dhe të drejtën e pasagjerit për të përfituar nga kjo

kontratë.

Gazetare: J. Halili

Burimet:

https://abcnews.al/video-aksident-i-frikshem-ne-tirane…

unazes-perfundon-ne-lane-poshte-tij-nje-makine/

https://dritare.net/ngjarjet-e…/tirane-nje-tjeter-autobuz-

perplaset-me-kabinen-e-stacionit-i723109

https://www.cna.al/2022/05/04/cfare-po-ndodh-ne-tirane-

perplaset-nje-tjeter-urban-aksidenti-i-trete-ne-pak-dite/

http://www.panorama.com.al/aksidentohet-autobusi-i…/

#transportpublikudhëtarësh#transportpublikdinjitoz#transportpublik#bashkepunim#shoqericivile#publictransport#ALTERUM#levizalbania#LevizAlbania#transport#bashkiatirane#alterum#busandthecity#denonco#transportpublikcilësor#qytetar#DENONCO#ngo

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë publikime