Transporti publik ka një rëndësi të veçantë në ekonominë e një vendi, por edhe në aspektin social. Përdorimi i transportit publik urban, është zgjedhje e detyruar çdo ditë për mesatarisht 200,000 qytetarë. Sondazhet e kryera ndër vite tregojnë se për shumicën e popullsisë, veçanërisht për grupet e margjinalizuara si shtresat në nevojë, të moshuarit, komunitetet romë dhe egjyptian etj.
Autobusët janë i vetmi mjet që përdorin për të shkuar në destinacionet e nevojshme. Transporti publik në Tiranë çalon në disa elemente thelbësore, ku përmendim këtu numrin e pakët të mjeteve që sjell tejmbushje jashtë kapacitetit, pasiguria, kohëzgjatja e lëvizjes, kushtet e papërshtatshme të udhëtimit, higjiena jashtë standarteve apo mungesa e ajrit të kondicionuar, por edhe sjellja e pahijshme e personelit në autobus. Të tjera problematika që janë evidentuar nga projekti “Bus and the City”, janë edhe mungesa e tabelave informuese, si brenda mjeteve të transportit urban ashtu edhe në stacione. Ky artikull trajton këtë lloj problematike dhe po ashtu propozimet e “Bus and the City” për ta rregulluar këtë hallkë të rëndësishme të transportit publik.
Tabelat informuese kanë një funksion për t’u mundësuar udhëtarëve të marrin vendimet e sakta në lidhje me atë udhëtim që po kryejnë. Ky lloj informacioni është gjithashtu i dobishëm për gjetjen e rrugës, veçanërisht nëse udhëtimi përfshin transferimin nga një zonë e kryeqytetit në një zonë tjetër me një trajektore të ndërlikuar.
Sigurimi i informacionit në bord është praktik për përcaktimin e ndalesës ose stacioneve që do të vijojnë përpara se të mbërrihet në destinacionin përfundimtar. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, institucioni përgjegjës që kontrollon këtë shërbim publik, e pyetur pak muaj më parë nga mediat lidhur me këtë problematikë tha se po bëhen hapa për të vënë në dispozicion të qytetarëve tabelat informuese, por mesa duket edhe kjo kërkesë është lënë në harresë.
Rikujtesë: Në Shkurt të vitit 2017, Bashkia Tiranë premtoi vendosjen e sistemit GPS në të gjithë flotën e transportit publik duke patur si qëllim kontrollin e situatës së transportit publik por pse jo edhe informimin e udhëtarëve për vendndodhjen e tyre me anë të një platforme të dedikuar. Frekuenca e qarkullimit të tyre do të monitorohet me GPS dhe qytetarët do të informohen në rrugë elektronike për vendndodhjen e autobusit dhe oraret e tij, jo vetëm nëpër stacione, por edhe nga telefoni nëpërmjet aplikacionit Tirana Ime”, pati deklaruar kryebashkiaku i Tiranës. Ky lloj sistemi së bashku me SIT është parashikuar gjithashtu edhe në vendimet e Këshillit Bashkiak.
Sistemet GPS ose SIT të shërbimit të transportit qytetas të udhëtarëve synojnë përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese të transportit përmes përcaktimit të orareve të shërbimit, numrin e mjeteve në shërbim, shpejtësi lëvizjeje dhe elemente të tjera, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e shërbimit. Pavarësisht parashikimit të ngritjes së këtyre dy sistemeve për një periudhë prej më shumë se 5 vitesh dhe kohës më se të mjaftueshme për implementimin e tyre, nuk kemi asnjë informacion se në çfarë faze jemi me implementimin e tyre edhe pse operatorët shprehen se e gjithë flota e mjeteve të transportit publik në Tiranë është e pajisur me këtë teknologji.
Aktualisht në Tiranë operojnë 11 operatorë të cilët ushtrojnë aktivitet në 16 linja urbane me mbulim në të gjithë qytetin.
Gjatë monitorimit në tërren të kryer nga Qendra “ALTERUM” në pothuajse të gjitha stacionet e këtyre linjave mungojnë tabelat informuese të itinerareve dhe orareve përkatëse. Aktet ligjore parashikojnë detyrimin e operatorit të ofrimit të shërbimit të transportit publik për të informuar qytetarët në lidhje me të drejtat e tyre si përdorues të transportit.
Në çdo autobus dhe në çdo stacion linje duhet të vendosen tabelat informuese në gjuhën shqipe dhe mundësisht edhe në gjuhën angleze, siç ndodh në vendet e fqinje apo të Bashkimit Europian, që përmbajnë:
1. Emrin e shoqërisë që ofron transportin publik;
2. Emrin e linjës;
3. Itenerarin;
4. Rregulloren me të drejtat dhe detyrimet e udhëtarëve;
5. Oraret;
6. Tarifat.
Nga monitorimet e kryera një pjesë e autobusëve kanë disa tabela informuese, por që në shumicën e rasteve janë të pakuptueshme për qytetarët. Në disa raste janë tabela të vjetra që nuk janë përditësuar me ndryshimet e stacioneve të cilat janë të shpeshta si pasojë e ndërhyrjeve apo punimeve që kryhen në rrugë, në raste të tjera nuk evidentohen lehtë dhe po ashtu janë të vendosura në pozicione të papërshtatshme dhe nuk e kryejnë funksionalitetin për të cilin janë vëndosur, atë të dhënies së informacionit për qytetarët.
Ndërkohë edhe më keq është situata me tabelat informuese jashtë autobusit, pra në stacionet e linjave urbane. Aktualisht në asnjë nga stacionet nuk janë të afishuara linjat që kalojnë në atë segment rrugor, itinerari dhe oraret.
Nga vëzhgimet në terren konstatohet se këtë problematikë më së shumti e hasin të huajt. Në Vox pop-et që kemi realizuar me qytetarë të ndryshëm që frekuentojnë rregullisht transportin publik urban, por edhe me disa të huaj nëpër stacione të ndryshme, janë shprehur se është e vështirë dhe e parehatshme të lëvizësh nëpër Tiranë me transport publik, sepse nuk ka asnjë informacion, asnjë tabelë. Ata shprehen se edhe kërkimi në Google për të mësuar linjat dhe oraret është i cunguar, ndaj e vetmja zgjidhje për ta është të pyesin gjatë gjithë kohës njerëz të rastësishëm për x linjë apo x orar, megjithëse për këtë të fundit askush, asnjëherë nuk ka informacion të saktë
Gazetare: J. Halili